Hapet zyra pilot për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), në qendrën e Shërbimeve Publike të Integruara ADISA në Gjirokastër. Kjo zyrë do të shërbejë si pika e parë e kontaktit me qytetarët për të përmirësuar mbulimin, aksesueshmërinë dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi çështjet e diskriminimit.

Gjithashtu nëpërmjet kësaj zyre do të mbahen lidhjet me institucionet vendore, duke përfshirë zyrat rajonale të Avokatit të Popullit dhe organizatat lokale të shoqërisë civile. Me ndihmën dhe financimin e Programit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Rritja e efikasitetit të sistemit shqiptar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe anti-diskriminimit” dhe mbështetjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, janë hapur edhe dy zyra të tjera në bashkinë e qytetit të Shkodrës dhe të Korçës.