Ditën e martë, datë 14 Nëntor, në ambientet e Qendrës së Integruar, ADISA Fier u zhvillua aktiviteti përurues i projektit “Mbështetje për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike me në qendër Qytetarin” – IPSD, financuar nga Bashkimi Europian në bashkëpunim me “Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara” ADISA si institucion përfitues.

Të pranishëm në këtë aktivitetet prezantues, ishin Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Zj. Senida Mesi, Drejtoresha e ADISA, Znj. Anisa Gjika, Kryetari i Bashkisë Fier, Z. Armando Subashi, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të Bankës Botërore në Shqipëri, drejtues të rëndësishëm të institucioneve qëndrore e lokale, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, shoqërisë civile, media dhe qytetarë.

Në fjalën e saj të hapjes, Drejtoresha e Përgjithshme e ADISA, Zj. Anisa Gjika, vuri në dukje faktin se ky projekt është vazhdimësi e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur fuqimisht reformën e shërbimeve publike në Shqipëri, duke kontribuar çdo ditë e më shumë në konsolidimin e një modeli ofrimi shërbimi  i cili synon të jetë më transparent, më efikas, më dinjitoz dhe i standardizuar duke i ardhur më pranë  qytetarit.

“Aktiviteti i sotëm ka për synim  të sjellë pranë qytetarëve dhe institucioneve, pjesë të reformës së shërbimeve publike, risitë dhe komponentët kryesorë që do të ofrohen nga projekti “Mbështetje për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike me në qendër Qytetarin” – IPSD,  financuar nga Bashkimi Evropian. Impakti ligjor dhe rregullator i reformës së shërbimeve publike në të ardhmen, rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, mekanizmat e nevojshme monitoruese për të matur performancën e institucioneve janë vetëm disa nga shtyllat të cilat do të trajtohen në kuadrin e kësaj asistence, e cila do te ketë një kohëzgjatje 18 mujore – u shpreh, Zj. Gjika.

Nga ana tjetër, e pranishme në këtë aktivitetet, Zëvendëskryeministrja, Zj. Senida Mesi, duke vënë në dukje avancimin e modelit unik të ADISA si një qendër e integruar mirëfunksionale në shërbim të publikut, u ndal tek vizioni i Qeverisë Shqiptare për të qenë sa më afër çdo qytetari dhe sipërmarrësi në vend.

“Falë këtij projekti që po lançohet sot, i cili synon avancimin e modelit unik të ADISA-s nëpërmjet integrimit të mëtejshëm të shërbimeve, bazuar në zgjidhje më inovatore, qytetari do të kalojë në një lidhje më solide me administratën shtetërore. Ky është pikërisht dhe thelbi i vizionit, që ne si Qeveri Shqiptare po ndjekim për të qenë krah për krah dhe sa më afër me çdo qytetar dhe sipërmarrës, duke bashkëqeverisur me ta, për të pasur një komunikim më të shpejtë dhe më cilësor, me synimin e vetëm krijimin e një marrëdhënieje solide, ku qytetari është gjithmonë i pari.” – u shpreh, Zëvendeskryeministrja Mesi.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë së Fierit, Z. Armando Subashi, duke folur për bashkëpunimin e shkëlqyer me Qendrën e Integruar të ADISA Fier dhe duke falenderuar mbështetjen nga Qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë, theksoi se dhe Bashkia e Fierit, ka ofruar gjithë asistencën e duhur dhe gjithashtu po punon për krijimin e qendrës së saj të integruar në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve duke bashkëpunuar me ADISA-n. Ai hodhi idenë se në të ardhmen do të punohet për ndërthurjen e ofrimit të shërbimeve lokale me ato qendrore përmes sporteleve të ADISA-s.

Në vijim, drejtuesja e projektit IPSD, Zj. Daina Belicka, bëri një prezantim të projektit dhe komponentëve të tij.

Ky projekt zhvillohet në kuadër të reformës së ofrimit të shërbimeve publike, të ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet programit “Inovacioni kundër korrupsionit: Ndërtimi i një modeli me në qendër qytetarin në ofrimin e shërbimeve publike në Shqipëri”. Aktiviteti ka për qëllim prezantimin e komponentëve të projektit, të cilët synojnë përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike, duke rishikuar kuadrin ligjor-rregullativ të ofrimit të tyre, duke synuar ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e procedurave operacionale, hartimin e një modeli biznesi për ushtrimin e veprimtarisë së ADISA-s, si dhe përmirësimin e performancës së lëvrimit të shërbimeve. Aktiviteti ka gjithashtu për qëllim të parashtrojë e të informojë mbi programet e reja të Bashkimit Europian, si një aktor kyç në financimin dhe dhënien e ndihmës, në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptar dhe ADISA-n, për përmirësimin e shërbimeve publike në tërësi dhe mënyrës së ofrimit të tyre.

Së fundmi, ky projekt ka për qëllim ofrimin e zgjidhjeve inovatore për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, forcimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit në ofrimin e shërbimeve publike.

Buxheti i projektit IPSD, financuar nga BE, arrin një vlerë prej 1 milion euro dhe do të zbatohet brenda një afati kohor prej 18 muajsh (Qershor 2017 – Dhjetor 2018). Projekti do të zbatohet nga konsorciumi i përbërë nga HUMELICA Consulting International (HCI), Belgjikë, “Gopa Consultants”, “ICON Institute” dhe “IDRA Research & Consulting”.