PAKETË INFORMUESE-ARSIMI

Kjo paketë ofron informacion të detajuar për procedurat, të cilat duhet të ndjekë çdo maturant apo student, i cili dëshiron të regjistrohet për të dhënë provimet e Maturës Shtetërore, të regjistrohet për të ndjekur arsimin e lartë në një nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në Republikën e Shqipërisë, të kryejë njohjen e diplomës së huaj të ciklit të mesëm, të parë ose të dytë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), të aplikojë për përfitimin e bursës për studimet në IAL, si dhe të regjistrohet në Provimin e Shtetit për profesionet e rregulluara, sipas ligjit.

Regjistrimi në Universitetet Shtetërore
Regjistrimi në programin e Doktoraturës
Njohja e diplomave të huaja
Përfitimi i Fondit të Ekselencës
Transferimi i studimeve universitare

Regjistrimi në Universitetet Shtetërore :

Plotësimi i formularit A1/A1Z i jep mundësinë maturantëve, të regjistrohen në bazën e të dhënave për provimet e Maturës Shtetërore. Data e fillimit të procesit të plotësimit të këtij formulari përcaktohet çdo vit, në bazë të Udhëzimit të Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Në rast se maturantët nuk arrijnë të plotësojnë formularin në datën e përcaktuar, vendosen në dispozicion dy data shtesë.

Aplikimi kryhet online në portalin e-albania. Maturanti/kandidati krijon profilin në portal dhe  plotëson formularin A1/A1Z, në mënyrë të pavarur, ose me ndihmën e mbikëqyrësit të shkollës, ku është maturant. Maturantët që rezultojnë kalues në provimet e Maturës Shtetërore, pajisen me Diplomën e Maturës Shtetërore dhe vijojnë procedurat për regjistrimin në IAL.Për fillimin e aplikimit nxënësi duhet të aksesojë llogarinë e tij në portalin qeveritar E-albania. Nëse për një arsye apo një tjetër kandidatët nuk arrijnë ta bëjnë këtë në datën e caktuar, çdo vit, vihen në dispozicion dy data shtesë.

Informacion të detajuar në lidhje me këtë shërbim mund të gjeni duke klikuar në Regjistrimi i maturantëve/kandidatëve në Maturën Shtetërore (A1/A1Z)

Për të vijuar procedurat për regjistrimin në IAL, kandidati duhet të plotësojë Formularin A2, në portalin www.ualbania.arsimi.gov.al. Për t’u identifikuar në portal, kandidati përdor numrin personal të Letërnjoftimit elektronik, si dhe ID-në e maturës. Më tej, kandidati duhet të printojë faturën, e cila ka një vlerë prej 2000 (dy mijë) lekë të reja, si dhe të kryejë pagesën në një nga bankat e nivelit të dytë, ose në sportelet e Postës Shqiptare. Me marrjen e mandatit të pagesës, kandidati e paraqet atë për konfirmim tek mësuesi përkatës. Në vijim, kandidati identifikohet në portal, plotëson formularin A2, si dhe bën konfirmimin e tij, nëpërmjet kodit unik që përmban mandati i pagesës.

Informacion më të detajuar mbi plotësimin e formularit A2 do të gjeni në linkun:

QSHA është institucioni përgjegjës për pajisjen me numër matrikullimi të studentëve/doktorantëve, për çdo cikël studimi. Tarifa për pajisjen me numër matrikullimi është në vlerën 100 (një qind) lekë, për çdo student/doktorant. IAL përcjell me shkresë zyrtare tek QSHA listën e studentëve të regjistruar në ciklin e parë dhe të dytë të studimit, si dhe doktorantëve, së bashku me mandat pagesën për secilin prej tyre. QSHA, pas përpunimit të të dhënave, dërgon pranë IAL numrin e matrikullimit të ri për çdo student/doktorant.

Informacion të detajuar për këtë shërbim mund të gjeni në Matrikullimi (NIM)

Doktoratura

Studimet e doktoraturës ndërtohen mbi programe individuale për aftësim të pavarur të kandidatëve në kërkimin shkencor dhe në veprimtari krijuese. Studimet e doktoraturës zgjasin jo më pak se tre vite akademike dhe jo më shumë se pesë vite akademike. Në përfundim të studimeve të doktoraturës lëshohet diploma e gradës shkencore “Doktor”.

Studentët që kërkojnë të regjistrohen në programet e studimit të doktoraturës duhet të plotësojnë kriteret si më poshtë.

  • të ketë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojë një diplomë të nivelit të dytë ose një diplomë të integruar të nivelit të dytë, ose një diplomë sipas sistemit të vjetër, apo titull akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente;
  • të ketë notë mesatare të përgjithshme në studimet e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve mbi 8 (tetë);
  • të ketë dëshmi zotërimi të njërës prej gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht, italisht ose gjermanisht lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;
  • të ketë dy rekomandime nga persona që gëzojnë titull shkencor, të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit;
  • të zbatojë standardet shkencore dhe etike.

Pas plotësimit të kritereve të mësipërme studenti duhet paraqitet pranë universitetit ku do të kryejë doktoraturën, me një kërkesë ku parashtron propozimin për temën dhe udhëheqësin shkencor.

  • Pas plotësimit, dosja, së bashku me kërkesën për regjistrim në programin e studimeve të doktoraturës, dorëzohet në dekanat. Pasi kontrollohet nëse dosja është e plotë, zëvendës dekani e dërgon për shqyrtim paraparak tek përgjegjësi i njësisë përkatëse.
  • Koordinatori, brenda 10 (dhjetë) ditëve shqyrton propozimin me dosjen përkatëse në departamentin apo grupin mësimor shkencor përkatës, si dhe plotëson formularët e parashikuar në “shtojca” të udhëzimit nr.5 datë 22/01/2008 të MASh.
  • Dosja e plotësuar me propozimin përkatës dhe me formularin i kthehet zëvendësdekanit të ngarkuar me punën shkencore.
  • Brenda një jave nga datat e paraqitjes nga koordinatori, dosja e plotësuar me shkresën përcjellëse të dekanit paraqitet për shqyrtimin e miratmit në Këshillin e Profesorëve.
  • Këshilli i Profesorëve miraton kandidatin fitues të programit të studimit të doktoraturës.

 

QSHA është institucioni përgjegjës për pajisjen me numër matrikullimi të doktorantëve, për çdo cikël studimi. Tarifa për pajisjen me numër matrikullimi është në vlerën 100 (një qind) lekë, për çdo doktorant. IAL përcjell me shkresë zyrtare tek QSHA listën e studentëve të regjistruar në doktoraturë, së bashku me mandat pagesën. QSHA, pas përpunimit të të dhënave, dërgon pranë IAL numrin e matrikullimit të ri për çdo doktorant.

Informacion të detajuar për këtë shërbim mund të gjeni në Matrikullimi (NIM)

Njohja e diplomave të huaja

Njohja e diplomave të huaja për arsimin e mesëm (kur kërkohet me qëllim regjistrimin në IAL ose për punësim)

Për njohjen e diplomave të huaja për arsimin e mesëm, fillimisht bëhet plotësimi i dosjes me dokumentet e kërkuara. Dosja me dokumentet dërgohet me postë ose dorazi në QSHA.

Në rast se aplikanti ka mangësi në dokumentacion, lajmërohet për mungesën e dokumentit. Pas përfundimit të procesit të njohjes së njëvlershmërisë, aplikanti njoftohet  me e-mail ose telefon. Për të tërhequr dokumentin e njëvlershmërisë, aplikanti ose personi i autorizuar prej tij paraqitet me dokument identifikimi në momentin e tërheqjes së dokumentit.

Shërbimi është pa tarifë.

Njohja e diplomave të huaja për ciklin e parë dhe të dytë

Për të kryer një aplikim për njohjen diplomave të huaja për ciklin e parë dhe të dytë, fillimisht duhen plotësuar dokumentet. Aplikimi për njohjen e diplomave të huaja nuk konsiderohet i plotë, nëse mungon një nga dokumentet.

Për të kryer procesin e njohjes duhet të dorëzohen dokumentet e mëposhtme:

  • Formulari i aplikimit;
  • Diploma ose certifikata që vërteton përfundimin e studimeve (në rastet kur ky përbën dokumentin zyrtar përkatës në vendin e origjinës ekuivalent me diplomën);
  • Lista e notave dhe/ose suplementi i diplomës;
  • Fotokopje e kartës së identitetit ose të pasaportës;
  • Mandat-pagesa hard-copy.

Dokumentet duhet të jenë origjinale (me përjashtim të diplomës) ose fotokopje të njësuara me origjinalin. Dokumentet e dorëzuara për njohje nuk i kthehen më aplikantit.

Hapat e procedurës:

  • Aplikanti duhet të informohet rreth procesit të njehsimit, duke lexuar të gjitha dokumentet e publikuara në linkun http://qsha.gov.al/.
  • Fillimisht, aplikanti plotëson individualisht formularin e aplikimit, i cili mund të plotësohet online (në faqen zyrtare të https://e-albania.al/ ose mund ta shkarkojë atë nga faqja zyrtare e QSHA http://qsha.gov.al/.
  • Në rastin e aplikimit online, aplikanti plotëson online aplikimin, dhe më pas e dërgon në rrugë postare bashkë me dokumentacionin e plotë (hardcopy).
  • Aplikanti duhet të përcjellë të gjithë dokumentacionin në rrugë postare, në QSHA.
  • Informacion të detajuar për shërbimin gjeni në këtë link

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit:

Procedurat për njohjen dhe njehsimin e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit, kur dosja e aplikimit është e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e kërkuar në këtë udhëzim, përfundojnë brenda 45 ditëve në rastet e plotësimit online të Formularit të Aplikimit, dhe brenda 3 muajve në rastet e aplikimit në formë shkresore.

Tarifa

2.000 lekë për aplikim online/shkresor.

Provimi i shtetit i jep të drejtën kandidatit të pajiset me titullin profesional përkatës, për të ushtruar profesionin e rregulluar, si dhe kontrollin e njohurive profesionale për pajisjen me licencë. Kandidatët që i nënshtrohen provimit të shtetit për degën e mjekësisë, aplikojnë pranë Urdhrave Profesionalë përkatës. Kandidatët që i nënshtrohen provimit të shtetit për profesionin mësuesit, aplikojnë pranë Drejtorive Arsimore Rajonale/Zyrave Arsimore. Urdhrat Profesionalë dhe Drejtoritë/Zyrat Arsimore dërgojnë me e-mail dhe shkresë zyrtare pranë QSHA, listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohen provimit të shtetit. QSHA publikon në faqen zyrtare kalendarin e provimeve, si dhe listën emërore të kandidatëve me datën dhe orën e zhvillimit të provimit.

Informacion më të detajuar mund të gjeni në faqen zyrtare 

Përfitojnë bursë nga fondi i mbështetjes studentore, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë, studentët e pranuar në programet e studimeve profesionale, programet e ciklit të parë të studimeve, programet e integruara të studimeve, si dhe studentët e shtresave sociale në nevojë. Bursa financiare u jepet studentëve përfitues çdo muaj, në llogarinë bankare të deklaruar nga studentët, në bankat e nivelit të dytë, pas konfirmimit të frekuentimit të programit përkatës të studimit nga IAL. Studentët që vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi nuk trajtohen me bursë financiare.

Me qëllim përftimin e bursës për studentët me rezultate të larta mësimore, IAL shpall listën e studentëve me rezultatet më të larta. Për studentët e vitit të parë, shpallen rezultatet e maturës shtetërore, ndërsa për studentët e viteve të tjera, rezultatet e vitit paraardhës. Studentët, të cilët janë pjesë e listave emërore, duhet të pajisjen me vërtetim nga Sekretaria e IAL, si dhe të hapin një llogari bankare, pranë një banke të nivelit të dytë. Më tej, studentët paraqesin pranë Sekretarisë së IAL vërtetimin me numrin e llogarisë bankare, me qëllim kryerjen nga institucioni lëvrimin e bursës në llogari.

Informacion më të detajuar mund të gjeni në faqen zyrtare

Fondi i ekselencës

Fondi i Ekselencës akordon bursa financiare për studentet, të cilët ndjekin studimet e ciklit të parë, të dytë apo doktoraturë, në një universitet të huaj, si dhe për nëpunësit e administratës shtetërore, të cilët zotërojnë një diplomë nga një universitet i huaj.

Nënpunësit e administratës shtetërore

  1. Të jenë pranuar në njërin nga 300 universitetet më të mira të botës sipas renditjes së fundit të përgjithshme ose në njërin nga 100 universitetet më të mira të botës sipas fushave, nga “Times Higher Education”- renditja botërore e universiteteve, në vitin më të fundit, për të ndjekur në ciklin e dytë apo të tretë të studimit një program master me kohëzgjatje 1 vjeçare në fushat e mëposhtme: – politika publike; – administrim publik; – politika ekonomike; – politika arsimore; – politika shëndetësore; – urbanistikë dhe zhvillim urban; – menaxhim i financave publike; – e drejtë administrative/publike; – studime evropiane.
  2. Të pranojnë që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të punojnë për jo më pak se 4 (katër) vjet në Shqipëri, në institucione të administratës shtetërore, institucione të pavarura apo njësi të qeverisjes vendore, në përputhje me profilin e studimeve të kryera të mbështetura financiarisht nga fondi i ekselencës;
  3. Të kenë marrë aprovimin e titullarit të institucionit ku punojnë për kryerjen e studimeve jashtë vendit dhe aplikimin për përfitimin financiar nga fondi i ekselencës;
  4. Të mos jenë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar;
  5. Të mos përfitojnë bursë/financim të plotë në universitetin pritës apo nga donatorë të tjerë. Në rastet kur studenti përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga fondi i ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond.
  1. Formular aplikimi (formati shkarkohet nga website i MASR arsimi.gov.al);
  2. Letër pranimi nga institucioni pritës i arsimit të lartë;
  3. Miratimin e titullarit të institucionit të administratës shtetërore ku punon nëpunësi, sipas formatit të parashikuar në shtojcën 3 të udhëzimit nr. 16 datë 1.08.2014 të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë “Për përcaktimin e kritereve, masës dhe procedurave për përfituesit nga fondi i ekselencës për studentët e shkëlqyer dhe nëpunësit e administratës shtetërore”, i ndryshuar.

Kandidatët për studimet e ciklit të parë dhe të dytë

  1. Të jenë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së fundit të përgjithshme dhe/ose asaj specifike sipas fushave, nga “Times Higher Education”- renditja botërore e universiteteve, për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit, ose të kenë përfituar financim/bursë në masën 75 për qind të shpenzimeve totale të parashikuara nga universiteti pritës (për tarifën e shkollimit dhe kosto të tjera të jetesës) në rastet kur universiteti është i akredituar dhe i mirënjohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Në rastin e dytë mbështetja financiare nga fondi i ekselencës nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 euro në vit;
  2. Të pranojnë të punojnë, së paku, 3 (tre) vjet në Shqipëri, pas diplomimit në ciklin përkatës të studimeve për të cilin përfitojnë bursën ose pas përfundimit të të gjithë cikleve të studimit, nëse kandidati fitues vijon studimet në ciklet më të larta universitare;
  3. Të jenë shtetas shqiptarë;
  4. Të mos jenë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar;
  5. Të mos përfitojnë bursë/financim të plotë në universitetin pritës apo nga donatorë të tjerë. Në rastet kur studenti përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga fondi i ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga universiteti pritës për vitin akademik (tarifa e regjistrimit dhe/ose shpenzime të tjera të jetesës dhe udhëtimit) në varësi të masës së fondit në dispozicion;
  6. Të kenë përfunduar studimet para universitare me mesatare mbi 9, të të gjitha viteve të shkollës së mesme ose ekuivalente për ata që kanë përfunduar këto studime jashtë vendit, për studentët që aplikojnë për ciklin e parë të studimeve universitare;
  7. Të kenë përfunduar studimet e ciklit të parë me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore, për studentët që aplikojnë për ciklin e dytë të studimeve universitare.
  1. Formular aplikimi (formati shkarkohet nga website i MASR arsimi.gov.al);
  2. Diplomat universitare të ciklit të parë dhe/ose të dytë të studimeve universitare së bashku me aneksin e notave;
  3. Letër pranimi nga institucioni pritës i arsimit të lartë.
  1. Formular aplikimi (formati shkarkohet nga website i MASR arsimi.gov.al);
  2. Certifikatë e notave dhe detyrimeve të shlyera nga kandidati për vitin akademik të mëparshëm dhe planin e studimit për programin që ndjek kandidati në universitetin pritës;
  3. Vërtetim nga universiteti pritës mbi mbështetjen financiare nga ana e tij për kandidatin, si dhe masën e financimit (origjinale ose fotokopje e noterizuar);
  4. Dokumentacionin justifikues financiar të shpenzimeve që mbulojnë vlerën e bursës së akorduar.

Kandidatët për studimet e doktoraturës

  1. Të jenë pranuar në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës në shkencat shoqërore dhe ekonomike, apo në njërin prej 50 universiteteve më të mira të botës në shkenca natyrore dhe teknike, sipas renditjes së fundit, të përgjithshme dhe/ose asaj specifike sipas fushave, të “Times Higher Education”- renditja botërore e universiteteve, ose të jenë pranuar në njërin prej universiteteve të mirënjohura ndërkombëtare për studime në albanologji;
  2. Të mos marrin shpërblime si financim i plotë apo bursë e plotë për punën kërkimore apo mësimore që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës në vlerë më të madhe se ajo e parashikuar për financim nga fondi i ekselencës. Studentët doktorantë nuk mbështeten financiarisht nga ky fond për tarifën e studimeve (tuiton fee) por vetëm për shpenzimet e jetesës. Në rastet kur studenti përfiton një financim tjetër nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga fondi i ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond;
  3. Të pranojnë të punojnë, së paku, 3 (tre) vjet në Shqipëri, pas përfundimit të studimeve të doktoratës;
  4. Të jenë shtetas shqiptarë;
  5. Të mos jenë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.
  1. Formular aplikimi (formati shkarkohet nga website i MASR arsimi.gov.al);
  2. Diplomat e studimeve universitare të ciklit të parë dhe të dytë, së bashku me aneksin e notave;
  3. Letër pranimi nga institucioni pritës i arsimit të lartë, ku të përcaktohet programi i doktoratës ku kandidati është pranuar, kohëzgjatja zyrtare e studimeve të doktoratës dhe udhëheqësi shkencor;
  4. Projekt-ideja e temës së doktoratës, në të cilën të paraqitet qartësisht, objekti kryesor i studimit, metodologjia (në varësi të llojit të disiplinës), literatura kryesore që është përdorur apo që do të përdoret potencialisht.
  1. Formular aplikimi (formati shkarkohet nga website i MASR arsimi.gov.al.);
  2. Deklaratë nga institucioni i arsimit të lartë për periudhën e qëndrimit dhe frekuentimit të institucionit ku kryhet doktorata nga ana e kandidatit (origjinale);
  3. Vërtetim i institucionit pritës mbi ciklet e leksioneve të ndjekura dhe rezultatet e arritura (nëse ka) (origjinale);
  4. Artikuj të botuar (nëse ka) (origjinale);
  5. Raporti i ndërmjetëm i nënshkruar nga udhëheqësi shkencor, në të cilin të përmblidhet gjithë veprimtaria shkencore e kryer gjatë vitit akademik të mbështetur me bursë dhe parashikimi për vitin pasardhës akademik (origjinale);
  6. Vërtetim nga universiteti pritës mbi mbështetjen ose jo financiare nga ana e tij për kandidatin, si dhe masën e financimit (origjinale ose fotokopje e noterizuar);
  7. Dokumentacion justifikues financiar të shpenzimeve që mbulojnë vlerën e bursës së akorduar.

Transferimi i studentëve

Procedurat dhe kriteret për transferimin e studentëve nga një universitet në tjetër përcaktohen çdo vit akademik nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Kandidatët që duan të aplikojnë për transferim të studimeve, paraqesin pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimeve, dokumentet si më poshtë:

  • Kërkesa drejtuar IAL-së për programin e studimit, në të cilin do të transferojë studimet (ose formulari i aplikimit sipas shtojcës nr7);
  • Plani i plotë i programit të studimit përfshirë edhe syllabuset përkatëse;
  • Vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur;
  • Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011 duhet të paraqesin edhe dëftesën e pjekurisë së shkollës së mesme;
  • Fotokopja e dokumentit të identifikimit (letërnjoftim ose pasaportë)
  • Dy fotografi personale;
  • Kopje e mandat-pagesës.

Në momentin e regjistrimit përfundimtar me dokumentacion në IAL (pas shpalljes fitues), kandidati paraqet dhe dokumentin original të çregjistrimit për qëllim transferimi, nga IAL nga ku transferohet.

Dokumentacioni i çregjistrimit përmban:

  • Emri, Atësia, Mbiemri;
  • Datëlindja;
  • Vendlindja;
  • Shtetësia;
  • Numëri i Matrikullimit që ka pasur në IAL-në përcjellëse;
  • Emri i shkollës së mesme/IAL-së së kryer përpara ndjekjes së këtij programi studimi;
  • ID e Maturës Shtetërore
  • Numri personal i identitetit;
  • Data e regjistrimit në programin e studimit dhe fakultetit përkatës;
  • Cikli dhe forma e studimit;
  • Data e ndërprerjes së studimeve.
  • Kandidati nuk duhet të jetë duke ndjekur një tjeter program studimi;
  • Nuk mund të pranohen aplikime për transferime të studimeve gjatë vitit akademik.

Kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve apo program të dytë studimi duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë, për programet e studimit për të cilët aplikojnë.

Dokumentet për kandidatët që aplikojnë për transferim studimesh janë si më poshtë:

  • Kërkesë drejtuar institucionit të arsimit të lartë (IAL) për programin e studimit, në të cilin kërkon të transferojë studimet;
  • Plani i plotë i programit të studimit nga ku transferohet;
  • Vërtetim i listës së notave, krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer në ciklin e dytë të studimeve, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin eventual të lëndëve të programit të studimit të ndjekur, si dhe programeve/syllabuseve përkatëse të lëndëve të shlyera.

Për më tepër informacion do të gjeni në faqen zyrtare  www.arsimi.gov.al

*Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni Qendrën e Informimit për Shërbimet Publike pa pagesë në numrin: 0800 0118 nga e Hëna në të Premte 08:00 – 19:00 ose shkruani në adresën e email-it : informacion@adisa.gov.al.

Të tjera

disaadisaadisaadisaadia