Në qytetin e Kavajës u hap qendra e parë e shërbimeve publike me një ndalesë, duke synuar shmangien e radhëve të gjata, aferat korruptive dhe zgjidhjen e një problematike të hershme përmes një shërbimi më të shpejtë dhe efikas.​
Qytetarët e Kavajës tanimë do të mund të marrin mbi 200 shërbime publike nga 5 institucione vendore dhe lokale në qendrën e parë të shërbimeve publike me një ndalesë në vend, të menaxhuar nga Agjencia e Shërbimeve Publike ADISA. Në këtë qendër qytetarët do të mund të marrin shërbime nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Gjendjes Civile, Sigurimeve Shoqërore, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Qendra e parë me një ndalesë në qytetin e Kavajës është pjesë e një projekti inovativ që sjell shtetin tek qytetari.​

Për ministren Milena Harito, reforma është tejet e rëndësishme sepse lufton dhe korrupsionin. “Të gjithë e dinë që një nga mënyrat bazë për t’i detyruar qytetarët të shkojnë t’i kërkojnë shtigjet e korrupsionit është të mos jepet përgjigje. ADISA është garanti që çdo qytetar i cili ka kërkuar të marrë një shërbim do marrë përgjigje, pavarësisht nëse ajo është pozitive apo negative, por do të marrë përgjigje dhe do t’a marrë atë përgjigje në kohë”.