ADISA inaguron zyrën me një ndalesë në Bashkinë e Belshit

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA, çeli sot zyrën me një ndalesë pranë Bashkisë Belsh. Të pranishëm në këtë inagurim ishin Zëvendëskryeministri, z. Erjon Braçe, Kryetari i Bashkisë së Belshit, z. Arif Tafani, Deputeti i zonës, z. Musa Ulqini dhe Drejtori Ekzekutiv i ADISA, z. Lorin Ymeri.
Zyra me një ndalesë pranë ambientit të Bashkisë në qytetin e Belshit është kolokimi i dytë i këtij lloji pas atij në Bashkinë e Maliqit. Tashmë dy sportele të ADISA do të ofrojnë mbi 150 shërbime publike të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Qytetarët e Belshit do të mund te asistohen në marrjen e shërbimeve elektronike përmes portalit qeveritar e-albania dhe në portalin Shqipëriaqëduam.al si dhe do të marrin informacion për më shumë se 950 shërbime publike.

Ambientet ofrojnë standarde bashkëkohore të pajisur me sistem elektronik të menaxhimit të radhës për të reduktuar kohën e pritjes si dhe me infrastrukturë të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara (PAK). Gjithashtu, kolokimi i ADISA do t’ju shërbejë edhe qytetarëve të Cërrikut, duke u kursyer kohë dhe shpenzime të cilët duhet të shkonin deri në qytetin e Elbasanit.

Pas inaugurimit të Zyrës me një ndalesë në Bashkinë e Belshit, brenda muajit prill 2019 do të vijohet me hapjen e zyrave ADISA në Bashkitë Patos, Divjakë, Shkodër, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

15.03.2019

Vendodhja:

Belsh

Galeria