Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike prezantoi në datë​ 5 shkurt arritjet e vitit 2015 dhe objektivat për vitin 2016. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet Zj. Milena Harito theksoi rëndësinë e aktivitetit të secilës nga agjencitë në varësi të kësaj ministrie. “Duke avancuar secili fitojmë të gjithë”, u shpreh ajo.
 
Drejtori i Përgjithshëm i ADISA, Z. Albenc Koni, prezantoi arritjet e vitit 2015, ndër të cilat janë: inventarizimi për herë të parë i shëbimeve publike (më shumë se 1400 shërbime), kodimi unik për çdo shërbim, standardizimi i formularëve të aplikimit dhe marrja në administrim i sporteleve pritëse të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë duke lehtësuar qytetarët përmes shërbimit të nivelit të lartë.
 
Për sa i përket objektivave për vitin 2016, Z. Koni përmendi marrjen në administrim nga ADISA të sporteleve pritëse të 130 zyrave të institucioneve të ndryshme në të gjithë territorin e Shqipërisë.