Sportelet e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë (ZRPP) tashmë menaxhohen nga ADISA, për të siguruar standard të ri transparence dhe shpejtësie në shërbimet e ofruara. Në inagurimin e ambjenteve të reja moderne të ZRPP-së në 18 nëntor ishin të pranishëm kryeministri Z. Edi Rama dhe ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Zj. Milena Harito.
Z. Rama e cilësoi reformën e shërbimeve publike si një strukturë shërbimi të standardeve evropjane e cila ka për qëllim të shndërrojë të gjithë strukturën e sporteleve të shtetit shqiptar, për ta transformuar shërbimin publik në një shërbim të integruar, me standarde, me kritere e me rregulla të unifikuara. Sipas tij, qëllimi i saj është pastrimi i të gjithë kanaleve të komunikimit për të transformuar të gjithë bazën e të dhënave në një bazë të integruar, të qendrueshme e të besueshme dixhitale. Z.Rama përmendi se qeveria kërkon të çrrënjosë praktikën e të trokiturit derë më derë nga ana e qytetarëve dhe të arrijë në fazën që shteti të ketë detyrim të përgatisë çdo shkresë që i nevojitet qytetarit – e njëjta gjë për sipërmarrjen – duke u kursyer shqiptarëve kohë.
Nga ana e saj, ministrja Zj. Harito u shpreh se reforma që nis nga ZRPP-ja e Tiranës dhe që do të shtrihet në të gjithë vendin, do të krijojë një kulture të re në shërbimin ndaj qytetarëve. Ajo tha se reforma e shërbimeve publike është një përshtatje e praktikave më të mira ndërkombëtare, por edhe praktikave më të mira të sektorit privat. Zj. Harito përmendi se për herë të parë janë përcaktuar procedura e standarde të qarta, formularë shumë dinjitozë që informojnë në mënyrë preçize qytetarët mbi të drejtat, mbi afatet, mbi kohën kur ata do të marrin përgjigje. Ajo gjithashtu përgëzoi ADISA-n e cila e ka ngritur këtë kapacitet brenda vetëm 10 muajsh me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.