Në kuadër të njohjes me praktikat më të mira botërore për ofrimin e shërbimeve publike të integruara për qytetarët, gjatë datave 4-9 prill ADISA organizoi një vizitë në Qendrën e Ofrimit të Shërbimeve Publike (ASAN) në Baku, Azerbajxhan.
Azerbajxhani është një ndër shtetet që ka zbatuar me sukses modelin e shërbimeve publike të integruara me qytetarin në qendër. I krijuar në vitin 2012, ASAN ka arritur të ndërtojë 9 qendra shërbimesh të integruara për qytetarët në të gjithë Azerbajxhanin, ndër të cilat 5 në kryeqytetin Baku.
Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv i ADISA, Z. Albenc Koni, vizitoi disa nga qendrat e shërbimeve të integruara për qytetarët në Baku dhe jashtë tij, si edhe u informua në mënyrë të detajuar mbi funksionimin e administratës qendrore dhe qendrave të integruara përmes prezantimeve dhe diskutimeve informuese me departamente të ndryshme të ASAN.
Ndër të tjera, delegacioni i ADISA pati mundësi të vëzhgonte nga afër funksionimin e autobusëve të ofrimit të shërbimeve publike të integruara për t’iu afruar sa më shumë qytetarëve në të gjithë vendin, Call Center për informimin e qytetarëve dhe pritjen e ankesave dhe sugjerimeve të tyre, si edhe ambjentet e radios së ASAN për informimin publik.
Të dy palët shprehën gatishërinë për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash për zbatimin e suksesshëm në Shqipëri të modelit të shërbimeve publike të integruara me qëllim kryesor uljen e korrupsionit, shkurtimin e kohës së ofrimit të shërbimit dhe marrjen në konsideratë të opinionit të qytetarëve për përmbushjen e nevojave të tyre në mënyrë sa më efikase.