Një projekt i ri po mbështet ofrimin e shërbimeve publike me në qendër qytetarin

Projekti i ri i financuar nga BE “Mbështetje për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike me në qendër qytetarin” është pjesë e reformës së ofrimit të shërbimeve publike e cila drejtohet nga iniciativa “Inovacioni kundër korrupsionit: Ndërtimi i një Modeli për ofrimin e shërbimeve publike me në qendër qyterarin” ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare në vitin 2014. Shtyllat e reformës në ofrimin e shërbimeve me në qendër qytetarin janë: ndarja e sporteleve pritëse nga zyrat mbështetëse; ofrimi i shërbimit të integruar përmes ri-inxhinierimit të proceseve të biznesit; reforma ligjore; dhe dixhitalizimi i shërbimeve.

Projekti do të mbështesë ADISA-n për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike në Shqipëri duke ndërmarrë një sërë aktivitetesh rreth gjashtë komponentëve dhe objektivave të tyre specifike, sikurse paraqiten në skemën e mëposhtme:

 

Për një periudhe 18 mujore (Qershor 2017- Dhjetor 2018), projekti do të mbështesë dhe bashkëpunojë me ADISA-n për rishikimin e kuadrit ligjor të ofrimit të shërbimeve; aplikimin e vlerësimit të ndikimit rregullor për ndryshimet ligjore të propozuara; hartimin e një metodologjie për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit institucional dhe aplikimi i kësaj metodologjie për institucionet e përzgjedhura; zhvillimin e platformave të të dhënave dhe mbledhjen e informacionit nga institucionet për të rinovuar edhe më tej inventarin e shërbimeve publike në Shqipëri; ngritjen e sistemeve të matjes së performancës për operacionet e ADISA dhe Qendrave të Integrura të shërbimit; vlerësimin e funksionimit organizativ të Qendrave të Integruara të Shërbimit, përgatitjen e manualeve të operacioneve dhe hartimin e një modeli biznesi për operacionet e përgjithshme të ADISAs.

Ndërhyrjet e planifikuara do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimit të aksesit të publikut dhe cilësisë për qytetarët dhe bizneset. Gjithashtu do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit në administratën publike shqiptare, si dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Projekti zbatohet nga një konsorcium që përfshin Humelica Consulting International (Drejtues i Konsorcium – Belgjikë), GOPA Consultants (Gjermani), Icon-Instituti (Gjermani) dhe IDRA Research & Consulting (Shqipëri).

2017-11-09T15:08:33+00:00