Administrata është në shërbim të qytetarit dhe jo qytetari në shërbim të Administratës”

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara- ADISA, në bashkëpunim me projektin IPSD- “Mbështetje për Përmirësimin e Ofrimit të Shërbimeve Publike me në Qendër Qytetarin” zhvilluan në datë 31 maj 2018, ceremoninë e shpalljes së fituesve të konkursit për “Esenë më të mirë” për shërbimet publike, në ambientet e EU House.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ambasadorja e BE, znj. Romana Vlahutin, përfaqësuesi i Delegacionit të BE në Shqipëri, z. Stephen Stork, Drejtori Ekzekutiv i ADISA z. Lorin Ymeri si dhe Drejtuesja e Projektit IPSD, znj. Daina Belicka.

Konkursi i shpallur nga ADISA për të nxitur studentët për të shprehur mendimin  dhe qëndrimin e tyre në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike ka filluar me datë 12 Mars për të shpallur 3 fituese për esetë më të mira, ku çmimin e parë e fitoi Reina Matraxhiu, çmimin e dytë Aurora Memushi dhe çmimin e tretë Ambra Collaku.

Ambasadorja Vlahutin gjatë fjalës së saj theksoi rëndësinë e reformave në administratën publike, si një nga prioritetet kyçe të negociatave të anëtarësimit dhe meritokracinë në institucionet qeveritare. Duke ju drejtuar studentëve ajo u shpreh: “Kur aplikoni për një punë, duhet të vlerësoheni për njohuritë tuaja, kapacitetin tuaj, ambicien tuaj dhe gatishmërinë tuaj për të kontribuar dhe në administratën publike, pasi njerëzit që rekrutohen duhet të kenë dëshirën për të kontribuar”.

Në fjalën e tij, Drejtori Ekzekutiv i ADISA z. Lorin Ymeri u shpreh: “Kemi krijuar një mënyrë të re dhe moderne për ofrimin e mbi 300 shërbimeve publike nga 9 institucione, por siç mund ta keni vënë re, mbetet ende një sfidë e madhe Reformimi i Administratës Shtetërore. Ndaj ky projekt i mbështetur jashtëzakonisht nga Kryeministri i vendit, synon në radhë të parë, përveç modernizimit dhe krijimit të një metode të re në përqasjen që ka Administrata Publike ndaj qytetarëve, të luftojë korrupsionin, duke rritur transparencën, cilësinë dhe llogaridhënien që administrata ka, pasi nuk është qytetari në shërbim të administratës por administrata në shërbim të tij.”

Në mbyllje të fjalës së tij z. Ymeri theksoi rëndësinë që ka opinioni dhe sugjerimet e të rinjve në ofrimin e shërbimeve publike, duke i ftuar ata për të qenë pjesë e praktikave të punës që ADISA ofron dhe projekteve të përbashkëta që do të ndërmerren në të ardhmen për t’i afruar ata në shërbimin civil.

Në mbyllje të ceremonisë, pasi u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për të gjithë pjesëmarrësit, u zhvillua një diskutim i hapur mes studentëve dhe z. Stephen Stork mbi përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, ku u prezantuan ide të reja dhe inovative për të rritur kënaqësinë e qytetarëve.