Në dt. 15 shkurt u organizua takimi prezantues mes Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike dhe programit ISDA me konsorciumin Deloitte Albania, Deloitte Consultants & Jacobs, Cordova and Associates, që do të angazhohet në kryerjen e ri-inxhinierimit të shërbimeve në fokus të programit, duke punuar ngushtë me institucionet.

Në fjalën përshëndetëse, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito, njoftoi për fillimin e procesit të ri-inxhinierimit të shërbimeve publike të ofruara nga 11 institucionet, duke theksuar se reforma në shërbime publike mbetet një prioritet i Qeverisë Shqiptare, si dhe mbështetjen maksimale në të gjitha nivelet e Shtetit për këtë reformë.

Ekipi i Deloitte Albania kryesuar nga Partner/Drejtuesi i Departamentit Consulting i Deloitte Albania, Z. Elvis Ziu, bëri një prezantim të objektivave, aspekteve dhe të çështjeve ligjore të projektit të ri-inxhinierimit. 

Pjesëmarrës në këtë takim ishin ADISA, ekipi i Deloitte Albania, drejtorët e përgjithshëm të 11 institucioneve, anëtarë të grupeve teknike, DU, DIM, AKSHI, etc.