I nderuar z. Kryetar, të nderuara zonja dhe zotërinj deputetë!

MinShtetiDëshiroj ta nis fjalimin tim me një pyetje: A e dini të nderuar kolegë ligjvënës, që në të gjithë legjislacionin shqiptar mungon një nocion bazë? Mungon nocioni i “shërbimi ndaj qytetarit”?
Të gjithë ne këtu kemi marrë mandatin pikërisht për t’u shërbyer qytetarëve, flasim në emër të tyre, në emër të atyre që na kanë votuar. Flasim për problemet e tyre që janë të shumta.
Por, deri më sot, askush nuk ka marrë mundimin të përcaktojë në ligj se çfarë kuptojmë me “shërbim ndaj qytetarit “.
Legjislacioni ynë i ka sytë të kthyer nga vetvetja, merret me përgjegjësitë e çdo institucioni, me ndarjen e detyrave midis tyre, të territoreve do të thosha.
Padyshim është e nevojshme. Një ndarje e mirë e detyrave ndihmon në një funksionim të mirë të shtetit dhe përmirëson llogaridhënie.
Por legjislacioni nuk ka sot asgjë mbi thelbin e asaj për të cilën shteti modern ekziston – shteti ekziston që t’u shërbejë qytetarëve të vet!
Nuk do ta kisha zgjatur këtë temë, nëse ky fakt nuk do të ishte një simptomë e sëmundjes sonë për t’u marrë me njëri-tjetrin, dhe jo me ata që na paguajnë, me qytetarët.
E përmbledhur në pak fjalë, pikërisht ky orientim i tërë punës së shtetit drejt shërbimit për qytetarin, është një reformë madhore që kemi filluar para 8 muajsh dhe një hap i saj po konkretizohet sot me paraqitjen e këtij projektligji mbi mbështetjen financiare nga Banka Botërore si pjesë e paketës globale të aprovuar para pak javësh me një shumë prej 1,2 miliard dollarësh.
Në këto 8 muaj kemi realizuar për herë të parë një inventar të plotë të shërbimeve publike në sportelet e shtetit.
A e dini sa shërbime të tilla kemi identifikuar?
Mbi 1400 shërbime, 1400 shërbime të ofruara në dhjetëra institucione dhe qindra zyra të shpërndara në të gjithë vendin, shërbime që shpesh edhe institucionet që i ofrojnë kishin vështirësi për t’i përkufizuar!
Vetë nëpunësit nuk ishin të qartë mbi shërbimin që ofronin!!!
Përse? Sepse administrata nuk është mësuar ta shohë veten si një instrument në shërbim të qytetarëve, sepse nuk janë ndërtuar instrumentet dhe mekanizmat për këtë, duke e lënë vazhdimisht çdo zyrë, si një copëz pushteti për t’u ushtruar mbi qytetarët; ose me keq, si një “xhep” favoresh që u bën qytetarëve, dhe jo si detyrë ndaj tyre.
Këtej rrjedh korrupsioni, lufta ndaj të cilit mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të qeverisë sonë.
Duke i qëndruar besnikë bindjes sonë se është sistemi që korrupton njerëzit dhe jo anasjelltas, e gjithë vëmendja jonë është përqendruar në ngritjen e një sistemi sa më efikas, që shkurton burokracitë, rrit efektivitetin e punës së administratës publike, përmirëson cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ul ndjeshëm hapësirat dhe mundësitë për akte korrupsioni.
Qeveria Shqiptare ka nisur këtë reformë për të përmirësuar mënyrën dhe kanalet përmes të cilave qytetarët marrin aktualisht shërbimet publike.
Ç’do të thotë kjo?!
Reforma mbështetet në 2 shtylla:
E para, krijimi i sporteleve të integruara të shërbimeve, për të shmangur ecejaket nga njëra zyrë në tjetrën, për të shmangur radhët, pritjet, mungesën e informimit, që janë të gjitha mjegulla pas së cilës fshihen duart e korrupsionit.
Në qendër të kësaj reforme është ndarja e sporteleve të shërbimit nga zyrat, që janë përgjegjëse për dhënien e këtij shërbimi, ofrimi i shërbimeve në mënyrë të integruar, me një ndalesë dhe në një vend, thjeshtimi dhe standardizimin i proceseve të ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Rezultat i kësaj reforme do të jetë ngritja e një qendre për shërbimet publike, në Tiranë, ku qytetarët do të mund të marrin disa qindra shërbime që ofrohen nga institucionet qendrore shtetërore, si për shembull në fushën e transportit, regjistrimit të pronave, sigurimeve shoqërore etj. Dhe me pas, shtrirja e këtyre zyrave në të gjithë vendin.
Ky model është zbatuar me sukses në një numër shtetesh të Evropës dhe Azisë Qendrore, nga Estonia deri në Gjeorgji apo Azerbajxhan, në forma të ndryshme.
Nisur nga suksesi i këtyre vendeve, jemi duke përshtatur praktikat më të mira për të ngritur modelin shqiptar.
Gjithë këto sportele të mbështetura e të lidhura me sisteme të digjitalizuara, për të shmangur dosjet e humbura, me dhe pa qëllim, si dhe vonesat me dhe pa qëllim.
Ky proces modernizimi i administratës dhe shtetit, ndërtimi i sistemeve moderne të kujdesit ndaj qytetarit, do funksionojë si, fjala vjen, çdo bankë në këtë vend, që ofron shërbimet në këtë mënyrë.
Shtylla e dytë e reformës është digjitalizimi masiv, çka nënkupton digjitalizimin e regjistrave, përmirësimin e sistemeve IT dhe ngritjen e sistemeve të reja, që mundësojnë reduktimin e kohës së shërbimit, kostove, si dhe rritjen e njëkohshme të cilësisë dhe efikasitetit.
Në më pak se 1 vit e kemi treguar se kjo gjë është plotësisht e mundur!
Këtë lloj sistemi unik e kemi ngritur tashmë për rekrutimet në shërbimin civil.
Sot çdokush e di që ka vetëm një vend për këto rekrutime, ka vetëm një procedure online, në të cilën kanë aplikuar që nga shtatori 2014 mbi 20 mijë kandidatë, kanë ngarkuar në sistem dokumente pa lëvizur nga shtëpia, kanë marrë përgjigjet pa lëvizur nga shtëpia.
▪ Në këto 20 muaj fokusi dhe prioriteti ynë në këtë drejtim ka qenë i qartë dhe me rezultate të prekshme.
▪ Në 20 muaj qeverisje janë trefishuar investimet publike në fushën e Inovacionit dhe teknologjisë. Është krijuar një fond i përqendruar, por edhe konkurrues, ku gjithë institucionet shtetërore vijnë dhe paraqesin projektet e tyre për të orientuar investimet aty ku ato janë më të nevojshme dhe më efikase. Rezultati ka qenë rritja e menjëhershme e numrit të projekteve nga institucionet dhe përmirësimi i cilësisë së këtyre projekteve.
▪ Janë trefishuar burimet njerëzore në agjencitë e inovacionit, çka ka sjellë rezultate të prekshme të punës së tyre dhe realizimi e një tjetër zotimi të programit tonë.
▪ Fuqizimi i portalit unik i shërbimeve online për qytetarët e-Albania, duke vënë në funksionim mbi 150 shërbime online, që përfshijnë të gjitha fushat e jetës, që nga ekonomia, tatimet dhe doganat, shëndetësia, arsimi, Policia e Shtetit etj. të përfshira në portal.
▪ Krijimi i portalit unik të informacionit gjeohapësinor si bazë e kadastrës unike të shtetit, pa të cilën asnjë shtet modern nuk mund të funksionojë. Portal unik i hapur, i përdorshëm nga mbi 10 institucione, ku informacioni, si pasuria më e madhe që kemi, është pronë e qytetarëve dhe jo e sekserëve që rrinin para dyerve të zyrave deri 2 vjet me parë.
▪ Brenda këtij viti ky portal do të pasurohet me foton e re ajrore, që po realizohet me teknologjinë më bashkëkohore dhe që do të jetë më në fund referenca unike e munguar e hartave midis gjithë agjencive, të cilat deri dje vepronin si shtete Brenda shtetit.
Aksesibiliteti i qytetarëve, në internet e nëpërmjet tij, në shërbimet online të ofruara, si nga qeveria, dhe nga bizneset në tërësi, është një shtyllë tjetër shumë e rëndësishme. Pa aksesibilitet në gjithë territorin, nuk ka zhvillim bashkëkohor.
Çfarë u bë deri dje me pasuritë publike? Ua ndanë oborrtarëve të pushtetit për përfitime minimalisht politike, ndoshta edhe personale, por për këtë duhet të hulumtohen pasuritë tuaja.
Si në të gjitha fushat e tjera, pasuria publike, frekuencat e komunikimeve elektronike, që janë ari dhe nafta e botës digjitale, ishte rrënuar, duke ia ulur çmimin çdo vit e më shumë.
E ç’bëmë ne?!
Mund të vepronim ashtu si ju! Sepse ajo ishte rruga më e lehtë!
Ne, këtë pasuri të shtetit ua dhamë operatorëve të telekomunikacioneve me vlerën reale, të krahasueshme me rajonin, duke futur në buxhetin e shtetit mbi 25 milionë euro për pak muaj. Dhe sot, rezultati është se nga interneti 3G po kalohet në teknologjinë 4G, e cila fillon para fundit të vitit e që do të krijojë mundësinë e internetit në celular me një shpejtësi dhe cilësi shumë më të mirë për çdo qytetar që do të ketë në dorë një smartphone.
Të gjithë këto hapa që kemi hedhur kanë synuar konsolidimin e sistemit qeverisës dhe futjen e inovacionit si një nga mënyrat më të mira për të mbyllur shtigjet e korrupsionit.
Sigurisht, në këndvështrimin tonë, asgjë nga këto nuk është ende e mjaftueshme për vizionin e Shqipërisë Evropiane. Kemi ende shumë punë për të bërë, për të arritur në destinacion, por është e sigurt që jemi në drejtimin e duhur.
Edhe marrëveshja që kemi sjellë sot në Kuvend, synon pikërisht të sigurojë një mbështetje të plotë financiare për ngritjen e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin.
Ky është për ne thelbi i reformës së Administratës Publike.
Administrata kishte nevojë të reformohej, padyshim, për të përmirësuar vetveten, për t’u përforcuar, profesionalizuar e depolitizuar. Ky proces ka filluar dhe është në vazhdim, por, në thelb, për administratën duhen ngritur mekanizmat dhe sistemet që ajo t’u shërbejë qytetarëve.
Ky projektligj është vetëm fillimi, vetëm hapi i parë, i cili përgatit mbështetjen e parë financiare të kësaj reforme madhore të maxhorancës sonë; ndaj dhe ju ftoj të gjithëve ta votoni.