Takim me donatorë dhe anëtarë të përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara në bashkëpunim me Projektin “Mbështetje për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike me në qendër Qytetarin” – IPSD, financuar nga BE, organizuan një Mëngjes Pune me donatorë dhe anëtarë të përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin nga BE, Shefi për Shtetin e së Drejtës dhe Qeverisjen e Mirë, z. Stephen Stork,  Drejtori Ekzekutiv i ADISA z. Lorin Ymeri, drejtuesja e projektit IPSD, znj. Daina Belicka, donatorë, si dhe  përfaqësues të huaj diplomatik.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i donatorëve dhe diplomatëve të huaj rreth këtij projekti dhe impaktit të tij në përmirësimin e ofrimit të shërbimit publik në Shqipëri, ADISA si institucioni zbatues dhe shërbimet që ajo ofron, si dhe roli i Bashkimit Evropian në mbështetetjen që i jep këtij sektori në veçanti dhe reformës së administratës publike në tërësi.

Gjatë fjalës së tij, z. Ymeri, prezantoi në mënyrë të detajuar procesin e punës së ADISA, ecurinë e deritanishme dhe mbarëvajtjen dhe funksionimin e Qendrave të Integruara në Kavajë, Krujë, Fier, Gjirokastër dhe Zyrën pritëse në Tiranë.

Gjithashtu, theks i veçantë u vu edhe në realizimin e dy kolokimeve (One Stop Shop) që janë realizuar pranë ambienteve të Bashkive Maliq dhe Belsh si dhe planet për hapjen e kolokimeve të tjera në Bashkitë Patos, Divjakë, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës, duke u shtrirë kështu në 45 bashki të vendit. Nuk u la pa përmendur edhe hapja e Qendrës më të re të Integruar në qytetin e Shkodrës e cila pritet të jetë funksionale brenda muajit Prill dhe Qendra e Integruar në zonën e Kombinatit në Tiranë, e cila pritet të jetë funksionale së shpejti.

Përfaqësuesi i BE, z. Stork, përmendi punën e vazhdueshme e bërë deri tani dhe nevojën për t’u zhvilluar edhe më shumë, duke qenë të pranishëm në sa më shumë qytete dhe bashki të Republikës së Shqipërisë, pasi qytetarët kanë shumë nevojë për këtë model të ri të Ofrimit të Shërbimeve Publike, që plotëson të gjitha kushtet dhe standardet e vendeve të Bashkimit Europian.

Projekti “Mbështetje për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike me në qendër Qytetarin” – IPSD, ka qenë një ndihmë e veçantë për ADISA duke ofruar mbështetjen e tyre nëpërmjet realizimit të aktiviteteve të ndryshme dhe të trajnimeve të realizuara për stafin e ADISA. Znj. Belicka, udhëheqëse e projektit, theksoi se pa përkushtimin dhe punën e madhe që ADISA ka realizuar në veçanti, situata nuk do të ishte e njëjtë. Gjithashtu, u përmend bashkëpunimi 2 vjeçar i projektit IPSD me ADISA dhe zhvillimet e  arritura në këtë periudhë kohore.

Në mbyllje të këtij takimi, u zhvillua një diskutim i hapur, nëpërmjet gjithë të pranishmëve,  në të cilin u shprehën mendime, sugjerime si dhe mundësi bashkëpunimi në të ardhmen për mbarëvajtjen e Reformës në Shërbimet Publike.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

26.03.2019

Vendodhja:

Tiranë

Galeria