Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE, “Mbështetje për Përmirësimin e Ofrimit të Shërbimeve Publike me në Qendër Qytetarin” – IPSD organizuan një takim me komunitetin rom dhe egjiptian për t’i njohur ata me politikat dhe cilësinë e shërbimit që ofron ADISA, veçanërisht ndaj grupeve të margjinalizuara. Një nga çështjet kryesore, që u diskutua në takimin e mbajtur në ambientet e zyrave qëndrore të ADISA, ishte përmirësimi i aksesit në informacion dhe lufta ndaj diskriminit.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Drejtorisë së Zhvillimit të Shërbimeve, Znj. Jonida Taraj u shpreh se ADISA ka si objektiv parësor dhënien e shërbimeve sa më cilësore, të standardizuara dhe eficente në kohë, duke u ofruar lehtësi dhe ndihmë grupeve të margjinalizuara si në Tiranë, ashtu edhe në të gjithë qendrat e integruara të ADISA që veprojnë nëpër rrethe. Më tej, drejtuesi i Departamentit të Marketingut, Z. Ilir Gjika prezantoi projektin më të ri të ADISA, i quajtur “Shërbime pa barriera” dedikuar të gjithë grupeve me nevojave specifike dhe aftësi të kufizuara.

Në kuadrin e projektit IPSD, eksperti i komunikimit, Z. Gjergj Hamiti theksoi rëndësinë që jep Bashkimi Evropian, duke mbështetur financiarisht këtë projekt që synon të përmirësojë dhe standardizojë shërbimet publike, me qasje drejt lehtësimit të procedurave dhe mekanizmave operacionale në përputhje me legjislacionin shqiptar duke përfshirë të gjithë qytetarët shqiptarë.

Përfaqësuesë të organizatave të shoqërisë civile që punojnë me këtë komunitet shprehën problematikat e hasura në përditshmërinë e tyre në terren, duke vënë theksin në çështje si: nevoja për regjistrimin civil si banor i qytetit, regjistrimi i vendbanimit, paaftësi në përballje me zyrat e institucioneve shtetërore për shkak të mungesës së arsimimit dhe vështirësive në kuptimin e informacionit të dhënë. “Ekzistencave e qendrave të integruara është një mënyrë shumë e mirë për dhënien e informacionit, pasi ky komunitet nuk ka dijeni për shërbimet që ADISA mundëson”, – u shpreh Sabjola Bregu, psikologe e “Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën”.

Përfaqësuese nga komuniteti rom dhe egjiptian, Mexhidia Ademi nga Elbasani u shpreh se romët nuk mund të paragjykohen për shkak të arsimimit dhe duhet të trajtohen si të barabartë me të tjerët. Problematikat kryesore të evidentuara në takim prej saj ishin: probleme me regjistrimin e fëmijëve, lehtësira në procedura regjistrimi, regjistrimi për martesat, pasi një pjesë e konsiderueshme nuk deklarohen për shkak të moshës së re. Në vijim të diskutimit u paraqitën disa kërkesa nga përfaqësues të këtyre komuniteteve, si domosdoshmëri në përmirësimin e shërbimeve publike si:

  • Dedikimi i një personi për grupet e margjinalizuara nga ADISA Tiranë, Qendrat e Integruara ADISA në Fier, Kavajë, Krujë dhe Gjirokastër.
  • Sugjerohet kryerja e disa diskutimeve në grup për zonat që janë të banuara nga komuniteti rom dhe egjiptian.
  • Ofrimi i një shërbimi OSSH të lëvizshëm që nga momenti i lindjes (për të gjithë komunitetet).

Së bashku me të pranishmit u hodhën idetë për të parë mundësinë e ofrimit të aksesit nga ADISA në zonat ku ata jetojnë nëpërmjet sesioneve informuese, targetimi nga ADISA i Qendrave Sociale të Informimit për komunitetin rom dhe egjiptian, mundësia e transmetimeve të informacioneve në televizionet lokale, si dhe shpërndarje të fletëpalosjeve informuese.