Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ADISA, çeli sot Qendrën e gjashtë të Integruar në qytetin e Tiranës, në zonën e Kombinatit, pranë njësisë administrative numër 6. Në prani të Zëvendës Kryeministrit z. Erion Braçe, Kryetarit të Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj, Deputetes së Partisë Socialiste znj. Blerina Gjylameti dhe Drejtorit Ekzekutiv të ADISA z. Lorin Ymeri, ADISA nis funksionimin e saj edhe në Tiranë, pas Zyrës Pritëse dhe do  t’u shërbejë qytetarëve në kushte dhe standarde bashkëkohore si dhe do të ofrojë shërbime për 7 institucione të ndryshme, në një vend të vetëm.

Çelja dhe funksionimi i Qendrës së Integruar ADISA në zonën e Kombinatit, Tiranë do të ofrojë mbi 368 shërbime publike, në 18 sportele fizikë, për 7 institucionet më të kërkuara si:

  1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës
  2. Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH)
  3. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH)
  4. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile (DPGJC)
  5. Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB)
  6. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT)
  7. Posta Shqiptare

Gjithashtu do të ofrohen të gjitha shërbimet e ALEAT për pajisjen e qytetarëve me kartë identiteti dhe pasaportë Biometrike, shërbimet e platformës qeveritare: e-albania ku së fundmi përfituesit e shërbimeve do të kenë mundësi për të marrë shërbime të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, si dhe përcjelljen e ankesave nëpërmjet portalit ShqiperiaQeDuam.al. Për më tepër, Qendra e ADISA në Kombinat, do të ofrojë edhe shërbimet vendore të Bashkisë, nëpërmjet dy sporteleve të dedikuara dhe parashikohet të shërbejë mesatarisht për 200 qytetarë në ditë.

Qendra e Integruar ADISA në Njësinë Administrative numër 6, ruan të gjitha standardet europiane për ofrimin e shërbimeve publike duke përmendur këtu, infrastrukturën e përshtatur për PAK dhe informacionin e përshtatur në gjuhën e shenjave, sistemin elektronik te menaxhimit të radhës, ambiente bashkëkohore që do të ofrojnë akses për të gjithë qytetarët në kushtet më të mira të ofruara ndonjëherë në vendin tonë.

Investimi i realizuar për Qendrën e ADISA në Kombinat, arrin në shifrën mbi 29 milion lekë. Gjithashtu, në dispozicion për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë është vendosur numri i shërbimit informativ 11-800, nëpërmjet të cilit mund të informohen për me shume se 950 shërbime nga 40 institucione të administratës publike.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

26.09.2019

Vendodhja:

       Njësia Administrative nr.6, Kati I.

       Sheshi Garibaldi, Kombinat. 

Shërbimet që ofrohen:

ASHK, ISSH, FSDKSH, DPGJC, QKB, DPT, Posta Shqiptare, ALEAT

Galeria