ADISA inauguron sportelet e para në “Zyrën me një Ndalesë” në Bashkinë e Maliqit

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), ka inauguruar sot qendrën e parë në rang kombëtar të shërbimeve me një ndalesë si bashkim i shërbime të qeverisjes lokale dhe qendrore me dy sportele ADISA të alokuara brenda zyrës “one-stop-shop” të Bashkisë Maliq.
Aktiviteti i inaugurimit të sporteleve të ADISA, u realizua në prani të Zëvendës Kryeministres znj. Senida Mesi, përfaqësuesit të Delegacionit Evropian në Shqipëri z. Stephen STORK, Kryetarit të Bashkisë së Maliqit z. Gëzim Topçiu, Drejtorit Ekzekutiv të ADISA z. Lorin Ymeri si dhe përfaqësues të institucioneve me të cilët Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara bashkëpunon vazhdimisht. Tashmë, të gjithë qytetarët e qytetit të Maliqit do të kenë akses në rreth 140 shërbime të standardeve bashkëkohore të ISSH, FSDKSH, ZRPP dhe SHKP, si dhe do të  informohen për shërbime të ndryshme publike të cilat do të ofrohen brenda një zyrë të vetme me një ndalesë.

Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja Mesi duke e cilësuar hapjen e kësaj qendre si një tjetër hap të rëndësishëm në reformimin historik të shërbimeve publike, u ndal tek rëndësia që ka ajo për qytetarët e Maliqit. “Falë bashkëpunimit të ngushtë me Bashkinë e Maliqit, krahas shërbimeve bashkiake, qytetari do të ketë mundësinë të marrë shërbim edhe pranë dy sporteleve ADISA të alokuara brenda zyrës “one-stop-shop” të Bashkisë Maliq. Në total, bëhet fjalë për afro 140 shërbime publike të ISSH, FSDKSH, ZRPP dhe SHKP, si dhe do të sigurohet informacion mbi të gjitha shërbimet publike. Kjo nënkupton kursim kohe dhe parash për banorët e Maliqit, duke i shmangur atyre vajtjen në Korçë në marrjen e këtyre shërbimeve”, u shpreh Znj. Mesi.

Në vijim, Drejtori Ekzekutiv i ADISA z. Lorin Ymeri duke falënderuar për praninë e tyre të gjithë pjesëmarrësit dhe në veçanti Zv/Kryeministren për mbështetjen e vazhdueshme dhe z. Topçiu për bashkëpunimin, theksoi se: “Pas disa javësh pune intensive me kryetarin Gëzim Topçiu dhe nën drejtimin e Zv. Kryeministres znj. Senida Mesi, po inaugurojmë sot sportelet me një ndalesë të ADISA pranë Bashkisë së Maliqit. Nga sot 68 mijë banorët e Maliqit do të kenë akses në rreth 140 shërbime të ZRPP, SHKP, ISSH dhe FSDKSH pa pasur më nevojë të shkojnë në zyrat e qytetit të Korçës.”  Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë së Maliqit në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e këtij momenti për qytetarët e Maliqit duke u shprehur se: “Është një moment integrimi që Bashkia e Maliqit realizon me qeverinë Shqiptare dhe më konkretisht me Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ADISA. Besoj se duke nisur që tani, në Maliq, aksesi në shërbimet publike do të ndodhet sa më afër qytetarëve, me standarde evropiane dhe në ambiente sa më bashkëkohore.”
Gjithashtu, në këtë aktivitet u përmend edhe risia me inovative që ADISA do të implementoje, “Sportelisti Universal”, kjo nënkupton se një punonjës, pra një sportelist do të ofrojë deri në katër shërbime të ndryshme të (ZRPP, SHKP, ISSH dhe FSDKSH)  dhe jo me vetëm një. Në këtë mënyrë puna do të vijojë më shpejt duke evituar vonesat dhe ngatërresat.
Në përfundim, nuk u la pa u përmendur edhe shtrirja e mëtejshme e Qendrave ADISA në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku së shpejti do të bëhet e mundur hapja e ADISA në qytetin e  Shkodrës dhe në Tiranë me një Qendër të Integruar në zonën e Kombinatit.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

16.11.2018

Vendodhja:

One Stop Shop Maliq

Nr. i Shërbimeve që ofrohen:

140 shërbime publike të ISSH, FSDKSH,
ZRPP dhe SHKP

Galeria