ADISA marrëveshje bashkëpunimi me Postën Shqiptare

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe Posta Shqiptare kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në funksion të përmirësimit  të ofrimit të shërbimeve publike.

Kjo marrëveshje mundëson vendosjen në dispozicion të Postës Shqiptare sportele/hapësira në ambientet e Qendrave të Integruara ADISA, me qëllim ofrimin e paketës së shërbimeve të postës nëpërmjet një infrastrukture me standarde evropiane dhe të përshtatshme për qytetarët përfshirë edhe kategorinë e personave me aftësi të kufizuara (PAK).

Ofrimi i shërbimeve të Postës Shqiptare pranë ambienteve të Qendrave të Integruara të ADISA-s, do të krijojë lehtësira të natyrës ekonomike dhe reduktim të kohës së qytetarëve që aplikojnë pranë sporteleve të ADISA-s, lidhur me:

  1. Përfitimin e shërbimeve postare dhe financiare me çmime konkurruese;
  2. Marrjen e një numri të konsiderueshëm shërbimesh publike, përfshire edhe shërbimet e postës shqiptare brenda një ambienti të vetëm;
  3. Mbylljen e ciklit të aplikimit brenda ambienteve të qendrës së ADISA-s pa pasur nevojë të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë për kryerjen e pagesave të aplikimeve apo pranë zyrave të tjera postare për pajisjen me zarf.

Aktualisht kjo marrëveshje do të shtrijë efektet në Qendrat e Integruara në qytetet Kavajës, Krujës, Fierit, Gjirokastrës dhe Zyrës Pritëse pranë ZVRPP Tiranë, për të vijuar më tej gjatë muajit Mars edhe në Qendrat Integruara në qytetin e Shkodrës dhe në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

20.02.2019

Vendodhja:

Posta Shqiptare

Galeria