Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA, çeli sot zyrën me një ndalesë pranë Bashkisë Divjakë. Të pranishëm në këtë inspektim të punimeve ishin, përfaqësues të partnerëve për zhvillim: përfaqësues të UNDP, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit Austriak në Shqipëri, përfaqësues nga Agjencia Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim në Shqipëri, Kryetari i Bashkisë së Divjakës, z. Fredi Kokoneshi si dhe Drejtori Ekzekutiv i ADISA, z. Lorin Ymeri.

Zyra me një ndalesë pranë ambientit të Bashkisë në qytetin e Divjakës është e pesta e këtij lloji pas asaj në Maliq, Belsh, Patos dhe Librazhd ku sportelet ADISA të shërbimeve publike qendore bashkëvendosen në qendrën me një ndalesë të bashkisë. Tashmë, në 8 sportelet aktuale në One Stop Shop Divjakë, ADISA do të ofrojë mbi 200 shërbime publike të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit, etj.

Për më tepër, qytetarët e Divjakës do të mund te asistohen në marrjen e shërbimeve elektronike përmes portalit qeveritar e-albania dhe në portalin Shqipëriaqëduam.al si dhe do të marrin informacion për më shumë se 950 shërbime publike. Vlerë e shtuar për qytetin e Divjakës tashmë do të jetë ofrimi i shërbimeve Vendore dhe Qendrore në një vend të vetëm.

Gjithashtu, kolokimi i ADISA Divjakë do t’ju shërbejë edhe qytetarëve të zonave përreth duke u kursyer kohë dhe shpenzime për të shkuar deri në qytetin e Lushnjes, kryesisht për shërbimet e SHKP dhe ASHK, duke eliminuar kështu 56 km rrugë vajtje ardhje.

Me mbështetjen e ISDA Support Project, një fond i përbashkët me kontribut nga Qeveria Austriake, ajo Italiane dhe nga UNDP-ja, nga ku dhe administrohet. Shtrirja e sporteleve ADISA në bashkinë e Divjakës ka bërë të mundur gjithashtu, zbatimin e standardeve bashkëkohore të shërbimit ndaj qytetarit në të gjitha sportelet e qendrës, me një investim nga ADISA, i cili në përfundim do të prekë shifrën prej 2.8 milion lekësh. Në sportelet  ADISA në qytetin e Divjakës parashikohet të shërbehen mesatarisht rreth 70 qytetarë në ditë.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

12.09.2019

Vendodhja:

Sportelet ADISA në Bashkinë Divjakë

Galeria