ADISA inaguron zyrën me një ndalesë në Bashkinë e Patosit

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA, çeli sot zyrën me një ndalesë pranë Bashkisë Patos. Të pranishëm në këtë inaugurim ishin Zëvendëskryeministri, z. Erjon Braçe, Kryetarja e Bashkisë së Patosit, znj. Rajmonda Balilaj, Deputetja e zonës, znj. Antoneta Dhima dhe Drejtori Ekzekutiv i ADISA, z. Lorin Ymeri.

Zyra me një ndalesë pranë ambientit të Bashkisë në qytetin e Patosit, është kolokimi i tretë i këtij lloji pas atij në Bashkinë e Maliqit dhe në Bashkinë e Belshit. Tashmë dy sportele të ADISA do të ofrojnë rreth 150 shërbime publike të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Fondit për Sigurimin e Kujdesit Shëndetësor dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Qytetarët e Patosit do të mund te asistohen në marrjen e shërbimeve elektronike përmes portalit qeveritar e-albania dhe në portalin Shqipëriaqëduam.al, do të mund të përdorin sportelin e Postës Shqiptare për çdo veprim apo pagesë, si dhe do të marrin informacion për më shumë se 950 shërbime publike.

Ambientet ofrojnë standarde bashkëkohore të pajisur me sistem elektronik të menaxhimit të radhës për të reduktuar kohën e pritjes si dhe me infrastrukturë të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara (PAK). Gjithashtu, kolokimi i ADISA do t’ju shërbejë edhe qytetarëve të qytezave apo fshatrave përreth , duke u kursyer kohë dhe shpenzime për të shkuar deri në qytetin e Fierit.

Pas inaugurimit të Zyrës me një ndalesë në Bashkinë e Patosit, në një kohë shumë të shkurtër, do të vijohet me hapjen e zyrave ADISA në Bashkitë Divjakë, Vau i Dejës dhe Malësi e Madhe. Gjithashtu, brenda këtij muaji do të hapet edhe Qendra më e re e Integruar në qytetin e Shkodrës.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

04.04.2019

Vendodhja:

Patos

Shërbimet që ofrohen:

ZRPP, ISSH, FSDKSH, SHKP

Galeria