Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “IPSD – Mbështetje për Përmirësimin e Ofrimit të Shërbimeve Publike me në Qendër Qytetarin në Shqipëri”, me përfitues “Agjencinë për Ofrimin e Shërbimeve Publike të Integruara në Shqipëri” – ADISA, organizoi sot në ambientet e Bibliotekës “Musine Kokalari” në Tiranë, aktivitetin prezantues “Konkursi për Esenë më të Mirë” me studentë të universiteteve të ndryshme të vendit.

Nëpërmjet këtij aktiviteti, i cili u mbështet nga zyra e Zëvendëskryeministrit të Republikës, synohet që të rinjtë shqiptarë të njihen me shërbimet aktuale që ADISA ofron për qytetarët, mekanizmat institucional të shërbimit, Projektin IPSD dhe mbështetjen që Bashkimi Evropian ofron ndaj shtetit shqiptar në tërësi në përmirësimin e ofrimit shërbimeve publike. Ftesa drejtuar studentëve të vendit për t’u bërë pjesë e këtij konkursi mëton të nxisë përfshirjen e tyre në proceset publike të mirëqeverisjes sikundër rritjen dhe ndërgjegjësimin e tyre për të kontribuar në të ardhmen në këtë drejtim.

E pranishme në këtë takim, Drejtoresha e Përgjithshme e ADISA, Znj. Anisa Gjika, duke falënderuar studentët për interesin e treguar me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet u shpreh se: “ADISA është Agjencia për Ofrimin e Shërbimeve Publike të Integruara, është krijuar përpara tre vitesh dhe qëllimin e saj kryesor ka përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike në vendin tone. Synimi i aktivitetit të sotëm është afrimi i të rinjve në Reformën e Shërbimeve Publike në Shqipëri dhe konkretisht shpallja e një konkursi i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me të dhe punën tonë të përditshme. ADISA e ka strukturuar punën e saj mbi 3 shtylla kryesore të cilat janë: 1. Ngritja e qendrave të Integruara ku qytetarët mund të aksesojnë një sërë shërbimesh në një vend të vetëm; 2. Vendosja e standardeve për Qendrat e Shërbimeve Publike – ADISA, si edhe për institucionet e tjera që ofrojnë shërbime në sportel; 3. Ngritjen e një sistemi monitorimi sa i përket mënyrës dhe cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike nga institucionet publike.

Në përfundim të fjalës së saj, znj. Gjika theksoi se mbi këto tre shtylla kryesore që mbulon ADISA janë mbështetur edhe tematikat që do të përdoren për zhvillimin e eseve duke ftuar kështu të rinjtë për t’u bërë pjesë e këtij konkursi pasi ADISA vlerëson sugjerimet dhe opinionet e qytetarëve dhe ka nevojë për ide inovative të cilat mund të përmirësojnë edhe më tepër mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike.

Ndërkohë që në këtë takim, i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i IDRA Research & Consulting, Z. Auron Pasha, pjesë e konsorciumit zbatues të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, duke prezantuar disa prej komponentëve kryesorë të projektit IPSD, u ndal tek fenomeni i korrupsionit. “E gjithë reforma për përmirësimin e shërbimeve publike ka synim minimizimin e ndërveprimit të qytetarit me administratën publike, dhe sa më pak ndërveprim të ketë aq më pak mundësi kanë tranzaksionet korruptive”, – u shpreh Z. Pasha. Duke theksuar rëndësinë që kanë studentët në qasjen e tyre ndaj këtij fenomeni, Z. Pasha ftoi studentët në “Konkursin për Esenë më të Mirë” që të bëhen pjesë e tij, gjithashtu të kthehen në ambasador të mesazhit të tij nëpër Institucionet e Larta Arsimore.

Takimi vijoi me një bashkëbisedim të lirë mes panelit dhe studentëve të pranishëm, të cilët mirëpritën ftesën dhe vlerësuan nisma të tilla me fokus të veçantë të rinjtë e vendit.

Shpallja e thirrjes për të marrë pjesë në “Konkursin për Esenë më të Mirë” i drejtohet të gjithë studentëve në vend nga mosha 18-25 vjeç, duke përzgjedhur njërën prej temave të mëposhtme:

  1. Qytetari dhe sportelet e shërbimeve publike: Sfida dhe Zgjidhje
  2. Teknologjia dhe Inovacioni në funksion të shërbimeve publike për qytetarin
  3. Standardizimi i shërbimeve publike si parakusht për uljen e nivelit të korrupsionit

Konkursi hapet më datë 12 Mars 2018 dhe afat i fundit për dorëzimin e esesë është data 21 Maj 2018. Eseja duhet të përmbajë jo më shumë se 2 500 fjalë dhe gjuha e shkruar do jetë Shqip dhe/ose Anglisht, në formatin Times New Roman/ Arial, 12 pt, në Word/PDF. Të interesuarit ftohen të dorëzojnë punimet e tyre në adresën e emailit: sherbimet.publike@adisa.gov.al , si dhe mund të drejtojnë pyetje sqaruese në adresën e postës elektronike të projektit IPSD: info@ipsdalbania.al

Përzgjedhja e eseve fituese do të kalojë përmes dy fazave. Faza e parë do të përcaktojë kalimin e eseve më të mira në fazën finale. Në fazën finale, gjatë një ceremonie që do të zhvillohet në muajin Maj 2018 do të shpallen dhe esetë fituese, të cilat do të shpërblehen me disa çmime nga projekti. Esetë më të mira do të përzgjidhjen nga ekspertë të ADISA dhe të projektit IPSD përmes një seti standard indikatorësh vlerësimi. Më shumë informacion mbi konkursin, do të gjenden gjatë ditëve në vijim në adresën zyrtare të ADISA dhe IDRA: www.adisa.gov.al dhe www.idracompany.com