Në kuadër të Javës së Inovacionit 2016, u organizua më 17 Maj, ditën dedikuar reformës së shërbimeve publike, në sallën COD në godinën e kryeministrisë, takimit me temë “Rruga e Transformimit: Shërbime publike me në qendër qytetarin”.

Pas fjalës përshëndetëse të Znj. Anisa Gjika, Drejtor Ekzekutiv i ADISA, fjala e hapjes u mbajt nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito, e cila foli mbi sfidat e Reformës në Shërbimet Publike, ecurinë e deritanishme dhe hapat për të ardhmen, si dhe risqet që paraqet kjo reformë, si një nga reformat më inovative të qeverisë shqiptare.

Si pjesë e panelit dhe përfaqësuese e botës akademike, Prof. Dr. Mimoza Kasimati, nga Universiteti i Tiranës, foli mbi teorinë e menaxhimit të ndryshimit, sfidat dhe proceset e lidhura me menaxhimin e ndryshimit si dhe elementet që e bëjnë atë të suksesshëm.

Znj. Evis Karandrea, Drejtoreshë operacionesh dhe eksperiencës së klientit në Vodafone Albania, shpjegoi procesin e menaxhimit të ndryshimit brenda Vodafone Albania, si një nevojë për të përmirësuar eksperiencën me klientin, dhe ngjashmëritë që ky proces ndryshimi kishte në të gjithë hapat e tij, me atë të ndërmarrë nga MIAP nëpërmjet ADISA-s dhe agjencive të tjera pjesë e reformës së shërbimeve publike të integruara.

Aspektet ligjore dhe vështirësitë e hasura në përpilimin e ligjit për ADISA u mbuluan nga Z. Erind Merkuri.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet e qeverisjes qendrore, organizata të shoqërisë civile dhe universitete të ndryshme.