PAKETË INFORMUESE PËR MARTESËN

Informacion i përgjithshëm mbi  “Regjistrim i aktit të martesës”

Martesa lidhet me pëlqim të lirë, përpara nëpunësit të gjendjes civile, mes një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Këto procedura iniciohen në zyrën e gjendjes civile në bashki / njësi administrative përkatëse, ku bashkëshortët e ardhshëm kanë vendbanimin.

Lidhja e martesës mes dy shtetasve shqiptarë në Republikën e Shqipërisë

Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm ose nga personi i caktuar nga ata me prokurë të posaçme. Shpallja e martesës bëhet nga të dy bashkëshortët e ardhshëm në zyrat e gjendjes civile në bashki / njësi administrative ku kanë vendbanimin. Gjatë shpalljes së martesës bashkëshortët e ardhshëm do të përcaktojnë se në cilën zyrë të gjendjes civile do të lidhet martesa.

Dokumentet e nevojshëm për shpalljen e martesës janë:

  1. prokurë e posaçme, në rastet kur bashkëshortët e ardhshëm nuk janë prezent në procedurën e shpalljes;
  2. certifikatë lindje, me shënimin “për shpallje martese”;
  3. fotokopje e dokumentit të identifikimit;

Martesa nuk mund të lidhet para se të kalojnë 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes. Afati i vlefshmërisë për lidhjen e martesës së shpallur është 1 vit.

Pas kalimit të afatit 10 ditor nga e nesërmja e shpalljes, secili nga bashkëshortët e ardhshëm pajiset me dokumentin certifikatë lindje për lidhje martese. Në ditën e caktuar për lidhjen e martesës duhet të jenë të pranishëm dhe dy dëshmitarë.

Lidhja e martesës ndërmjet dy shtetasve shqiptarë, me vendqëndrim në një shtet të huaj

Nëse martesa do të lidhet në një shtet të huaj, pas kalimit të afatit 10 ditor nga shpallja e martesës, duhet të pajisen me këto dokumente:

  1. certifikatë lindje;
  2. certifikatë lindje, me shënim “për lidhje martese”;

Këto dokumente duhet të legalizohen në institucionin e Prefekturës dhe në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për të ndjekur më pas procedurën e lidhjes së martesës sipas legjislacionit të vendit të huaj ku bashkëshortët e ardhshëm kanë vendqëndrimin.  Aplikimet për legalizim kryhet në zyrat e Postës Shqiptare.

Lidhja e martesës ndërmjet një shtetasi shqiptar dhe një shtetasi të huaj

Në rastin e lidhjes së martesës me një shtetas të huaj, nga bashkëshorti i ardhshëm (shtetasi i huaj) paraqiten dokumentet për shpalljen e martesës, të legalizuar, përkthyer, noteruar:

  • certifikatë lindje, e plotësuar me të gjithë  përbërësit e gjendjes civile, që pasqyrohen në rubrikat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile;
  • dokumentin / certifikatë që vërteton se nuk ka pengesë ligjore në vendin e tij për lidhje martese (vërtetim për leje lidhje martese);
  • dokument ku vërtetohen të dhënat e vendbanimit në shtetin e huaj;
  • fotokopje e dokumentit të identifikimit;

Këto dokumenta duhet të jenë me vulë APOSTILLE ose të legalizuar nga përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit.

Dokumentacioni duhet të paraqitet i përkthyer dhe i noteruar.

Shpallja e martesës kryhet në Bashki / Njësi Administrative, ku ka vendbanimin bashkëshorti i ardhshëm (shtetasi shqiptar). Pas kalimit të afatit 10 ditor nga e nesërmja e shpalljes, shtetasi shqiptar që do të lidhë martesë pajiset me dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. certifikatë lindje;
  2. certifikatë lindje me shënimin “për lidhje martese”;

Dokumentet duhet të legalizohen në institucionin e Prefekturës dhe në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe më pas bashkëshortët e ardhshëm ndjekin procedurën sipas legjislacionit të vendit ku do të lidhet martesa. Aplikimet për legalizimin e dokumenteve kryhen nëpërmjet Postës Shqiptare.

Pas lidhjes së martesës në shtetin e huaj, dokumenti i martesës (certifikatë martese /ekstrakt akt martese) i legalizuar, përcillet për regjistrim në shërbimin e gjendjes civile në Shqipëri në zyrën e gjendjes civile, ku bashkëshorti shqiptar ka vendbanimin.

*Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni Qendrën e Informimit për Shërbimet Publike pa pagesë në numrin: 0800 0118 nga e Hëna në të Premte 08:00 – 19:00 ose shkruani në adresën e email-it : informacion@adisa.gov.al.

Të tjera

disaadisaadisaadisaadia