27 shërbime dhe 8 procedura për 9136 zotërues mjetesh

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara – ADISA, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor – DPSHTRR, kanë hapur 2 sportele të reja në ambientet e Qendrës së Integruar ADISA në Kavajë, ku do të ofrohen 27 shërbime të cilat nuk kanë nevojë për kontroll fizik të automjeteve.

Duke filluar që prej datës 17 Qershor 2019, të gjithë qytetarët e Kavajës, do të mund të marrin shërbime për automjetet, në qytetin e tyre, pa kostot e deridjeshme të udhëtimit drejt qytetit të Durrësit. Në Qendrën ADISA në Kavajë, tashmë do të gjenden edhe shërbime të DPSHTRR të cilat do të ofrohen në kushte bashkëkohore me standarde evropiane, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes në radhë dhe 42 km rrugë vajtje- ardhje deri në qytetin e Durrësit.

Procedurat që do të ofrohen në këto 2 sportele janë:

  1. Aplikim dhe rinovim i lejedrejtimit;
  2. Aplikim dhe rinovim i Dëshmisë dhe Certifikatës Profesionale;
  3. Dokument i lejedrejtimit dhe i CAP;
  4. Lejedrejtimi ndërkombëtare dhe lejeqarkullimi ndërkombëtare;
  5. Certifikatë e pronësisë së mjetit;
  6. Lejedrejtimi dhe lejeqarkullimi e përkohshme;
  7. Pagesa e taksës së mjetit;
  8. Transferim i dosjeve të drejtuesit të mjetit dhe i dosjeve të mjetit;

Hapja e sportelit të DPSHTRR në Qendrën e Integruar ADISA në Kavajë, do të lehtësojë rreth 9 mijë zotërues mjetesh duke i ofruar atyre 8 procedura dhe më shumë se 73 mijë shërbime në vit. Së shpejti, ADISA do të përcjelle modelin e saj edhe ne qytetin e Librazhdit, nëpërmjet ngritjes së Zyrës One Stop Shop,  e cili do të përmbledhë në të njëjtën hapësirë shërbimi si shërbimet qendrore dhe ato vendore.

Detaje mbi Aktivitetin

Data e Eventit:

17.06.2019

Vendodhja:

Sportelet ADISA Kavajë

Galeria