QENDRA E INTEGRUAR ME NJË NDALESË NË ELBASAN

Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ADISA tani edhe në Elbasan

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ADISA, ka vëne në funksion Qendrën e tetë të Integruar në qytetin e Elbasanit, e cila do t’u shërbejë qytetarëve të Elbasanit dhe zonave përreth, në kushte dhe standarde bashkëkohore.

Çelja dhe funksionimi i Qendrës së Integruar ADISA në qytetin e Elbasanit, do të asistojë qytetarët për të gjitha shërbimet publike të cilat ofrohen online përmes portalit e-albania, shërbime të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve (DRT), si dhe shërbime të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), në 18 sportele fizikë.

Qytetarët e Elbasanit dhe zonave përreth, tani mund të asistohen edhe për përcjelljen e ankesave nëpërmjet portalit ShqipëriaQeDuam.al. Për më tepër, Qendra e ADISA në Elbasan, do të ofrojë rreth 60 shërbime Vendore të Bashkisë dhe parashikohet të shërbejë mesatarisht për 250 qytetarë në ditë.

Qendra e Integruar ADISA në Elbasan, ruan të gjitha standardet europiane për ofrimin e shërbimeve publike duke përmendur këtu, infrastrukturën e përshtatur për PAK dhe informacionin e përshtatur në gjuhën e shenjave, sistemin elektronik te menaxhimit të radhës, ambiente bashkëkohore që do të ofrojnë akses për të gjithë qytetarët në kushtet më të mira të ofruara ndonjëherë në vendin tonë.

Investimi i realizuar për Qendrën e ADISA në Elbasan, arrin në shifrën mbi 31 milion lekë. Gjithashtu, në dispozicion për të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit është vendosur numri jeshil i shërbimit informativ, 0800 0118, nëpërmjet të cilit mund të informohen për më shumë se 1000 shërbime të administratës publike.

Orari i pritjes: E hënë –  E premte   08:00 – 15:00

Përmirësimi dhe lehtësimi i jetës së qytetarëve në ofrimin e shërbimeve publike

GALERIA