QENDRA E INTEGRUAR ME NJË NDALESË NË LUSHNJE

ADISA inauguron Qendrën e Ofrimit të Shërbimeve Publike në Lushnje

Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara ADISA, çeli sot Qendrën e shtatë të Integruar në qytetin e Lushnjes. Në prani të Zëvendës Kryeministrit z. Erion Braçe, ZëvendësKryetarit të Bashkisë Lushnje z. Gentian Nushi, Deputetit të qarkut z. Bashkim Fino dhe Drejtorit Ekzekutiv të ADISA z. Lorin Ymeri, ADISA nis funksionimin e saj edhe në Lushnje, ku do  t’u shërbejë qytetarëve në kushte dhe standarde bashkëkohore.

Çelja dhe funksionimi i Qendrës së Integruar ADISA në qytetin e Lushnjes, do të asistojë qytetarët për mbi 472 shërbime publike përmes portalit e-albania, dhe shërbime të Postës Shqiptare ku mund të kryhen edhe veprimet financiare, në 14 sportele fizikë.

Qytetarët e Lushnjes dhe zonave përreth, tani mund të asistohen edhe për përcjelljen e ankesave nëpërmjet portalit ShqipëriaQeDuam.al. Për më tepër, Qendra e ADISA në Lushnje, do të ofrojë rreth 68 shërbime Vendore të Bashkisë dhe parashikohet të shërbejë mesatarisht për 200 qytetarë në ditë.

Qendra e Integruar ADISA në Lushnje, ruan të gjitha standardet europiane për ofrimin e shërbimeve publike duke përmendur këtu, infrastrukturën e përshtatur për PAK dhe informacionin e përshtatur në gjuhën e shenjave, sistemin elektronik te menaxhimit të radhës, ambiente bashkëkohore që do të ofrojnë akses për të gjithë qytetarët në kushtet më të mira të ofruara ndonjëherë në vendin tonë.

Investimi i realizuar për Qendrën e ADISA në Lushnje, arrin në shifrën mbi 28 milion lekë. Gjithashtu, në dispozicion për të gjithë qytetarët është vendosur numri jeshil i shërbimit informative, 0800 0118, nëpërmjet të cilit mund të informohen për me shume se 1000 shërbime të administratës publike.

Vendndodhja: Bashkia Lushnje, Lagjia Kongresi i Lushnjes 9001, Kati I

Orari i pritjes: E hënë –  E premte   08:00 – 15:00

Përmirësimi dhe lehtësimi i jetës së qytetarëve në ofrimin e shërbimeve publike

GALERIA