Qendrat e Integruara me një Ndalesë ADISA

Në kuadër të reformës për modernizimin e Shërbimeve Publike në Shqipëri është bërë e mundur krijimi i Qendrave të Integruara me një Ndalesë.  Ky model i ri shërbimesh, synon t’u kursejë qytetarëve kohë dhe energji, si dhe t’u sigurojë atyre cilësinë e duhur të shërbimit, duke mbyllur shtigjet për korrupsion. Standardi i ri në ofrimin e shërbimeve publike  është arritur nëpërmjet thjeshtimit dhe standardizimit të procedurave administrative, digjitalizimit të shërbimeve dhe ngritjes së sistemeve të Teknologjisë̈ së Informacionit, zgjerimit të hapësirave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për shërbimet nga qytetarët.

Sfida dhe qëllimi kryesor i ADISA është përmirësimi dhe lehtësimi i jetës së qytetarëve në ofrimin e shërbimeve publike. Për këtë arsye, krijimi i qendrave të Integruara ADISA ofron shërbimet e disa institucioneve, të renditura dhe të përzgjedhura në bazë të kërkesave të qytetarëve, në një vend të vetëm. Kështu, evitohen pritjet në radhët e gjata, reduktohet koha e veprimeve në sportel, me ndarjen “Front Office- Back Office” reduktohet korrupsioni, me sistemin e radhës evitohen keqkuptimet ndërmjet qytetarëve dhe me ambientet komode që ADISA ka krijuar, ofrohen të gjitha këto shërbime me standardet  më bashkëkohore në Shqipëri. Shtrirja në territor i Qendrave të Integruara, është një sfidë e vazhdueshme, të cilën ADISA po e realizon me sukses dhe do të vazhdojë me ritme të përshpejtuara për t’i ardhur në ndihmë sa më shumë qytetarëve në Republikën e Shqipërisë.