Vizitë e Komisioneres së BE për Ekonominë Digjitale dhe Shoqerinë në Zyrën Pritëse ADISA në Tiranë

Komisionerja  e BE për Ekonominë Digjitale dhe Shoqerinë znj. Mariya Gabriel, vizitoi dje Zyrën Pritëse ADISA në Tiranë. Në këtë takim ishin të pranishëm Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi, Drejori ekzekutiv I ADISA z. Lorin Ymeri dhe  Ambasadori I BE në Shqipëri z.Luigi Soreca.

Fokus i përgjithshëm i takimit ishte “Agjenda Digjitale” e Shqipërisë dhe progresi i bërë deri tani, siguria kibernertike, marrëveshja e re për uljen e tarifave “roaming” ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe digjitalizimi i shërbimeve publike.

Gjatë kësaj vizite, Mesi u shpreh se Shqipëria po ecën përpara drejt shoqërisë dhe ekonomisë digjitale duke krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset për të përfituar nga teknologjitë e reja dhe inovacioni. “Një ndër elementët kryesorë për të cilët po punojmë dhe jemi në një linjë edhe me përqasjen rajonale dhe europiane është edhe aftësimi digjital i të rinjve”, shtoi ajo, duke nënvizuar përparësinë që i jep qeveria shqiptare promovimit të nismave digjitale si një instrument thelbësor për modernizimin e qeverisjes dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik për qytetarët e saj.

“Është shumë e qartë që edhe këtu ku jemi, kemi një shembull të shkëlqyer se si u ofrohen shërbimet publike qytetarëve. Është e rëndësishme që qytetarëve t’u ofrojmë shërbimet në mënyrë digjitale dhe efikase. U kursejmë kohën për të shkuar nga njëra zyrë tek tjetra”, u shpreh Gabriel duke vlerësuar punën e bërë nga qeveria shqiptare lidhur me axhendën digjitale.

Në përfundim, ZëvendësKryeministrja u shpreh se vendi ynë po merr mbështetjen e Bashkimit Europian edhe për të përfituar nga fondet që BE ka vendosur në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të axhendës digjitale.