Një hapësirë e re informimi do të jetë në dispozicion për bizneset e vogla dhe të mesme në qendrat me një ndalesë të Shërbimeve Publike, duke nisur nga viti 2018.Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA në kuadër të shtimit të shërbimeve publike që ofron në sportelet e saj si dhe ardhjes në ndihmë për bizneset e ndryshme do të çelë pranë qendrave “one stop shop”, sportele të dedikuara posaçërisht për këshillimin e tatimpaguesve në marrëdhëniet e tyre me shtetin.Kjo mundësi e re për bizneset do të realizohet përmes një projekti të përbashkët mes ADISA, BERZH dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilat në mesin e muajit tetor kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për këtë qëllim.

Projekti synon të ofrojë informacion e ndihmë veçanërisht për mikro-bizneset, bizneset e vogla e të mesme, sa i takon detyrimeve tatimore të aplikueshme për to, si dhe të asistojë biznesin me akses në një mori burimesh informacioni mbi legjislacionin tatimor në fuqi.Për këtë qëllim sportelet e këshillimit do të ofrojnë materiale informuese lidhur me detyrimet tatimore të aplikueshme, të përshtatura për nevojat e biznese e lehtësisht të kuptueshme.Kjo është menduar të shërbejë edhe si një platformë dialogu publik-privat, duke pasur parasysh dhe shqetësimet e vazhdueshme të biznesit për mungesë informacioni të përshtatshëm mbi legjislacionin tatimor dhe detyrimeve që burojnë prej tij.Projekti është një hap serioz për përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarit e biznesit, çka lehtëson aksesin në informacionin e nevojshëm mbi shërbimet publike.